Si do të ishte sikur

Si do të ishte sikur

Mendoj ndonjëherë se si do të ishte sikur të mos mund të shkruaja.
Të mos dija të shkruaja. Të mos arrija dot t’i bëja bashkë gërmat, të krijoja fjalë e me to më pas të ndërtoja fjali; e të të ftoja ty të lundroje atje.

Mendoj ndonjëherë se mungesa e diçkaje kaq jetike për mua do të ishte si mungesa ime për ty. Por asnjëherë nuk do ta di se sa jetike do të isha unë për ty.
A do të isha si një rrokje, si një fjalë, a mos ndoshta si një libër që të përpin e të lë pa frymë?

Vallë a do të mund të më gjeje në një botë ku nuk do të ekzistonin rreshtat? A do të mund të më gjeje në një botë, ku të vetmet makina do të ishin ato që do të të dërgonin kudo, vetëm te unë jo?
Makina të tilla nuk dinë të shkruajnë.
A do të mund të më gjeje në një botë ku të pathënat do të mbeteshin të tilla, e nuk do të mund t’i shfletoje nën siluetën e shkrimit tim të rrumbullakosur?
Kurrë nuk do të mund t’i merrje me mend grimcat e ëmbla të kënaqësisë që marrin jetë sa herë një fletë boshe nis të mbushet pak nga pak me qënien time.

Ndoshta do të më ndeshje teksa do të isha duke kërkuar mijëra mënyra për të gjetur një strehëz të ngrohtë larg gjithçkaje, por pranë meje.
Sa mënyra do të përpiqeshe të kërkoje ti?

Mendoj ndonjëherë se si do të ishte të mos mund të shkruaja.

Pastaj e kthej faqen dhe nis një paragraf të ri.

Për këdo që është duke menduar se po shkruaj për të;
Po, me ty e kam
.

Back to Top