Një pasdite të ftohtë dhjetori po kthehesha nga puna për në shtëpi. Shquhem si njeri që kam shumë ftohtë, aq sa njerëzit e mi të afërt shpesh bëjnë humor me mua për këtë gjë dhe mua si gjithmonë më bezdis kjo.
Jam natyrë paradoksale sidoqoftë, se po aq sa ftohtë kam, aq shumë i dua malet, borën, të bëj ski. Le të themi që këtë të fundit ma kanë injektuar në gjak, desha s’desha, po mbase shkruaj një tjetër herë për këtë.
Atë pasdite ama, po e dashuroja të ftohtin. Jo vetëm që po e dashuroja, por po futesha rrugicë më rrugicë si e si për të zgjatur sadopak rrugën për në shtëpi. Shpesh jam e sinqertë me veten, po atë ditë nuk po e lejoja këtë gjë plotësisht. E vetmja gjë që po lejoja atë ditë ishte erën e ftohtë të dhjetorit të më pickonte fytyrën dhe unë të kënaqesha prej këtij fakti. Si duket po binte dhe shi. Ishte një shi i imët, i këndshëm, nga ata që dikë si unë e bën të mos ndihet vetëm. Pasditet e dhjetorit, siç edhe dihet, janë të errëta. Në dimër errësohet shpejt, e kur del nga puna në orën 18:30 nuk e dallon dot nëse është pasdite apo mbrëmje. Megjithatë, as që doja t’ia dija për këtë. Kisha shoqëruesin tim besnik, shiun dhe erën e ftohtë kthjelluese që dukej sikur donte të më thoshte diçka.
Nga kurioziteti i madh nuk ndaloja dot së ecuri, a thua se në fund të rrugës do gjeja përgjigjen e ndonjë pyetjeje që për momentin nuk e kisha.
Nuk ishte një ndjesi e re për mua; e re ishte mënyra si po e përktheja këtë ndjesi. Dua të them, ndjenjat shpesh nuk dimë t’i përshkruajmë me fjalë, apo jo? Ato thjesht i ndjejmë. Po, e vërtetë. Po unë, zakonisht nuk i kam qejf gjërat e thjeshta. Universi e di mirë këtë gjë dhe prandaj më servir vetëm pjata të komplikuara. Nuk i vë faj, vetë i thërras. Ai vetëm dëgjon e vepron. Jam e sigurtë që menjëherë pas këtij shkrimi do të më duhet të zgjidh ndonjë ekuacion jete me shumë të panjohura, siç e kam zakon. E mirë kam qënë në matematikë, po jo se nuk mundohesha, të them te drejtën. Ndryshe nga gjuha dhe letërsia, ku çdo gjë më vinte natyrshëm. Detaj i parëndësishëm ky, besoj. Gjithsesi, ja sapo mësove një gjë të re për mua.
Pra, si një “admiruese” e vështirësive, ndjesitë, ndër të tjera preferoj t’i vëzhgoj nga larg. Sikur të ishte dikush tjetër në vendin tim.
Dhe pikërisht atë nisa të bëja. Për çudi, kuptova se kisha të bëja njëherësh me shumë ndjesi, një lëmsh të madh e shumë të koklavitur. Disa vinin rrotull e nuk gjenin vend, disa i trokisnin mendjes e disa të tjera qëndronin të ulura këmbëkryq afër zemrës, si e si për të treguar vendosmëri, se nuk largoheshin prej andej.
Po e shijoja këtë shfaqje teatrale, sepse më çonte drejt një botë të ndryshme nga ajo e asaj pasditeje dhjetori rrugëve të lagura me shiun imcak.
Po e shijoja deri në momentin që kuptova se në fakt, ajo ishte bota e vërtetë, bota ime e vërtetë, së cilës duhej t’i jepja një kuptim nga gjithë ky vëzhgim analitik. Kuptova se ashtu siç kisha mësuar e vogël të thurja gërshetë, tani kishte ardhur momenti t’i shpurpurisja flokët, të zgjidhja çdo nyje, përveç atyre që natyralisht merrnin atë formë. Kuptova se çdo gjë që vinte e ulej këmbëkryq, nuk kishte ndërmend të lëvizte prej andej pa i ofruar një dorë për t’u ngritur.
Kuptova se ndonjëherë, për të biseduar me veten, kisha nevojë për një mik, e për ta pranuar veten, kisha nevojë për një pasqyrë.
Ose për një shëtitje në një pasdite të ftohtë dhjetori.
Në ato momente hapa çadrën. Kuptova që kisha 25 minuta që lagesha në shi.