Kërkoj të besoj të pamundurën, shpesh herë. Më është kthyer në një ritual të përditshëm, ose le të themi të përjavshëm, meqë ditët mundohem t’i mbush edhe me gjëra të tjera, që shpesh më largojnë vëmendjen nga biseda që aq shumë dua të bëj me veten. Moment sublim.
Ndodh, që gjërat që mendojmë se na vë përballë jeta në një mënyrë të pashpjegueshme, në fakt janë një pasqyrë e brendshme. Është nga ato pasqyra, që duket sikur kurrë nuk bëhet me pluhur, edhe nëse ndodhet në shkretëtirë dhe era nuk di të ndalë; është nga ato pasqyra që ka fuqinë e mbinatyrshme të riformojë menjëherë copëzat e saj të vogla të qelqit, nëse një dorë e pakujdesshme zgjedh ta thyejë. Gabimisht?
Më quani të çmendur, por jo vetëm që kërkoj të besoj të pamundurën, por dhe e dashuroj atë. E dashuroj momentin kur më duhet të lodhem, të vrapoj, të zvarritem, të kapem pas një filli që kaq lehtësisht mund të këputet, e dashuroj mometin kur arrij të ndjej. Dhe nuk mund të ndjej pak, këtë nuk e njoh. Nuk jam gatuar ashtu, për gjëra sipërfaqësore. Më pëlqen të zhytem, thellë.
Mundem vetëm të ndjej shumë, shumë nga gjithçka, nga ajo që më mbush e më zbraz.
Nuk jam mësuar me gjëra të thjeshta, prandaj nuk e kthej kokën në momentin e parë që ti më përshëndet.
Zgjedh të të shoh teksa largohesh, e pasi ke bërë dhjetë apo dymbëdhjetë hapa të tjerë, pasi frymëmarrja ime është shpeshtuar dhe një shenjë tensioni duket se merr jetë, atëherë të them se mbase nuk isha e sigurtë në e dëgjova mirë çfarë më the. Kështu e ripërjetoj, e rindjej.
E kupton? Nuk e kam me ty, e kam me veten.
Më pëlqen e pamundura.