Po haja drekë në restorantin emrit të të cilit po t’i bësh një ndarje të thjeshtë, merr emrin e tij. E urrej për këtë fakt dhe shpesh ndjej sikur ai është aty e po më vëzhgon.
Pastaj i thërras mendjes e them: “Në djall! Këtu gatuajnë kaq mirë!”
E largoj nga mendja ekzistencën e tij, diçka që mundohem ta bëj shpesh në fakt, për arsyen më të thjeshtë në botë. Ekzistenca e tij cënon ekzistencën time, bie ndesh me të qënurit unë. Kur më krijohet mendimi i shëmtuar, se ai, në fakt, po është, filloj vë në pikëpyetje veten. Nuk e dua atë që jam, kur e di që ai është aty. Nuk e dua ndjesinë që përjetoj, kur e di që ai është aty. Bie në realitet kur e di që ai është aty. Dhe sa nuk e dua unë realitetin, vetëm ëndrrat e mia e dinë!
Pasi kam bërë analizën e përditshme ekzistenciale, rikthehem te gjëja më e prekshme dhe më e vërtetë që kam në ato momente: rizoto me pulë dhe salcë curry. Si gjithmonë kam porositur të njëjtën gjë, sepse nuk dua të rrezikoj. Dua të them (nuk po rrezikoj), epo mirë, me gjëra të tjera po rrezikoj mjaftueshëm. Nuk e kuptoj, pse ndjek sërish e sërish ritualin e të parit të menusë, kur gjithmonë e di shumë mirë se çfarë dua të porosis. Të njëjtën gjë. Pse? Sepse nuk dua të rrezikoj.
Kalojmë te pjata e dytë për sot, Irish. Arsyen se pse quhet Irish nuk e kuptova kurrë, ashtu si kurrë nuk kuptova pse duhet të gatuajnë kaq mirë në restorantin emrin e të cilit nuk e them dot, pa bërë analizën ekzistenciale të përmendur më sipër.
Gjithsesi, t’i rikthehem pjatës së dytë; një ëmbëlsirë në kufijtë e së ëmblës me të thartën, një përzierje ngjyrash dhe shijesh, ku sigurisht nuk mungon shega. Më pëlqen shumë ky frut. Është kaq i madh në pamje të parë dhe pastaj e hap e përballesh me dhjetëra kokrra kaq të vogla të lëngshme, saqë fillon e dyshon, sesi mund t’u drejtohesh këtyre kokrrave, kur vetë frutit i drejtohesh me: “një kokërr shegë”.
Po të vështrosh me vëmendje, çdo gjë e parëndësishme në dukje, në fakt, është një thesar i vërtetë. Ashtu si shega, që në fillim përton ta qërosh dhe pastaj e do kaq shumë, edhe pse laparosesh me lëngun e saj. Eh, shega!
Mendoj, se në një mënyrë ose një tjetër, ne të gjithë jemi një shegë derisa një tjetër shegë vendos të na qërojë e të na vëzhgojë kokrrat. Pra, le të mos merremi me shegën, po me kokrrat e saj…
Kështu si padashur, po bëj të ditur pasionin tim për ushqimin, jo për gatimin, për ushqimin, sa për saktësi.
Nuk është se shquhem si hamëse e madhe, por ha ngadalë dhe më shijon çfarë ha. E mirë tani, çokollatat i kam pikë të dobët, është e njohur botërisht tashmë. Dua të them, është bërë e njohur botërisht, para se dhe unë vetë ta dija. E tani dua s’dua, do t’i ha çokollatat. Jo se s’dua.