Të harrosh

Të harrosh

Nuk kam probleme me kujtesën. 

Amnezinë e kam provuar një herë, por u zhduk shpejt. S’i pranon lehtë mendja ime tekat e forcave të jashtme. Boll është vetë çapkëne. I mjafton aq. 

Nuk kam probleme me kujtesën, ama një ditë harrova. Një ditë harrova kush isha. Harrova dhe fytyrën tënde. Jo plotësisht, por aq sa kisha nevojë. Një imazh i turbullt në mjegullën e mendjes sime. 
Një ditë harrova një ndjesi, qindra ndjesi dhe njoha një tjetër.Për pak. Për aq sa kisha nevojë.

U drodha një herë. U drodha dy herë. Pastaj u mësova. Jo se ndaluan të dridhurat. Ato fundja atë punë kanë. Ndjekin njëra-tjetrën e me të nisur nuk e ndalin dot ritmin. Por unë u mësova.

Atë ditë harrova frikën. Guximit shpesh ia mbyll derën. Atë ditë për fat çelësin e kisha humbur, a harruar diku. S’e di. Çapkëne mendja ime, ta thashë një herë.

Nuk kam probleme me kujtesën, por atë ditë harrova botën përreth meje e kujtova atë brenda meje. E përqafova fort dhe i lashë gjithë aromën time.

Atë ditë harrova; Por atë ditë nuk e harroj dot.

Back to Top