Prezent

Prezent

Na kanë mësuar tërë jetën të jemi prezent. Prezent në shkollë, prezent në punë, prezent në familje, prezent këtu, prezent aty. Provo të mungosh dhe përballu me pasojat. Ji prezent! 

Erta? – Këtu, zysh! Krenaria e parë e ditës, kur kupton se prezenca jote ka një farë vlere e mosprezenca jote, nuk i dihet ende dhe sot ç’a kuptimi ka pasur.Po ç’rëndesi ka?!

Na kanë mësuar të jemi të përqëndruar te prezenca jonë fizike, të themi se jemi aty, pa thënë ama në të vërtetë se ku jemi. Besoj më kupton ç’dua të them. A je këtu tani?
Ku e di ti ku jam unë, edhe nëse ndodhem përballë teje? Sa e frikshme është ta mendosh se mund të jem duke lundruar në ujëra krejt të trazuar dhe pse moti jashtë është pranveror dhe dielli shkëlqen, siç e ka zakon në Tiranë.
Po ti s’ke nga ta dish, se unë jam me ty, perballë teje dhe varka jote nuk lëkundet, kaq të mjafton. Edhe mua me thënë të drejtën, ndonjëherë kaq më mjafton. Që mos të më zërë deti (e kam tmerr). 
Natyra njerëzore është gatuar e tillë. Kënaqet me shijen e momentit dhe e kthen lëngun e kënaqësisë me fund. Kur kupton se është bërë tap, aty pastaj është tepër vonë dhe as pendesa nuk ka më vlerë, ama gota e rradhës nuk të tradhëton. Ka gjithmonë një gotë të rradhës. Varet a do jesh mjaftueshëm prezent që ta pish dhe këtë tjetrën. 


Ndonjëherë mendoj se konceptet  e mësuara gabim nuk çmësohen, sado të mundohesh. Prandaj nuk të pyet njeri sot: “çfarë po mendon?”, por “ku je?”. Ku dreqin je kur vonohesh? Ku dreqin je kur nuk e ngre telefonin? Po kur e ngre telefonin, a je vërtet pas telefonit? Mendohu pak. Këtu më qëndro tani. Ky është momenti kur duhet të jesh vërtet prezent. Mendo.

Back to Top