Në vend të prologut

Në vend të prologut

Si mund të kërkojë njeriu paqen atëherë kur ndihet sikur paqja është tepër e bardhë për të vërtetën e errët që posedon? Më kuptoni drejtë, ose dhe mos më kuptoni fundja, se nuk po kërkoj këtë; thjesht pak vëmendje në disa rreshta me rëndësi jo jetike. Gjithsesi, ajo që nisa të thoja, ishte që nuk dua të bëj rolin e njeriut të zymtë përbrënda, por thjesht të njeriut ëndërrimtar. Thënë më saktë, nuk po luaj asnjë rol. 
Mirë, pak sallatë me shumë vaj ulliri dhe pak perime u bë e gjithë kjo që thashë. 

Po e rifilloj. Si mundet dikush, një ëndërrimtar, te kërkojë, të gjejë paqen dhe të jetë i kënaqur me atë që do ketë në duar? A mundet që universi të arrijë të bëhet njësh me dëshirat e një ëndërrimtari dhe të krijojë galaktika në gjumin e tij? Por nuk dua që gjumashi ëndërrimtar të zgjohet, sepse atëherë nuk do të quhej më i tillë. 
Nuk jam kaq e komplikuar, mendja ime ndoshta po. E nuk po flas këtu për formëzimin e mishit dhe kockave të mija, por të asaj që as unë, e aq më tepër ju, nuk mund t’a prekni, pa i larë duart disa herë me ujë të rrjedhshëm e sapun të një cilësie të lartë. 

Unë jam shpirti im, asgjë më shumë e asgjë më pak se kaq. Unë jam shpirti im dhe ëndrrat janë çatia ime prej druri që jo rrallë herë fut ujë brenda e më prish gjumin. Por, sidoqoftë, ajo mbetet çatia ime, strehëza ime e prehjes në dimensione që ndoshta nën një çati moderne nuk do mundesha t’i arrija dot. 

Ajo që më mundon, vazhdon të jetë ajo që nisa të thoja disa fjali më lartë, para se t’iu  bëja t’a largonit vëmendjen prej saj me këto mendime pseudofilozofike. 
Ja pra, unë dhe shtëpiza ime kërkojmë paqe. Shpirti im, pra unë, dua që të fluturoj edhe kur krahët i kam të thyer, sepse ndryshe nuk do mund të isha pjesë e asaj që më mban gjallë, e universit shumëngjyrësh që shkëlqen nën ngjyra akoma të pazbuluara prej humanëve. 

Nuk janë fantazi të gjitha këto, këto janë të vërtetat më të mëdha të miat.  Unë jetoj aty, ku shumë njerëz kanë frikë të shkelin; jetoj në të pavetëdijshmen, sepse e vetëdijshmja është shumë e egër për shpirtin tim me krahë të plagosur.

Back to Top